Lajme dhe ngjarje

Mbahet Konferenca për Lidership dhe Vullnetarizëm

U mbajt sot Konferenca për Lidership dhe Vullnetarizëm e organizuar nga Akademia për Lidership dhe Vullnetarizëm e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit dhe FSUNK-ja.
Në hapje të konferencës të pranishmëve iu drejtua dekani i FEFS-it, njëherësh anëtar i Bordit Ekzekutiv të FSUNK-së, Musa Selimi. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit për mbështetjen e dhënë për ALV-në dhe për zhvillimin e sportit universitar në vend.
“Vullnetarizmi dhe lidershipi janë vlera të cilat e kalisin dhe e ngritin lartë e më lartë njeriun. Të gjithë juve, ju falënderoj për kontributin dhe jam i bindur që suksesi nuk do të na mungojë edhe në Kampionatin Botëror” tha Selimi.
Punimet e konferencës i përshëndeti edhe rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai shtoi që iniciativa e krijimit të Akademisë është shumë e nevojshme për organizimin e suksesshëm të aktiviteteve sportive në vendin tonë dhe si e tillë, duhet te shërbej si shembull edhe për fushat e tjera jashtë sportit. Në veçanti, Sahiti në fjalën e tij i përgëzoi studentët për njohuritë e fituara nga Akademia dhe përgëzoi dekanin Selimi për ideimin dhe implementimin e këtij projekti.
Konferencën për Lidership dhe Vullnetarizëm, si dhe punën e gjertanishme të ALV-së e përshëndetën me fjalë rasti edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, Haris Pavletić, zëvendëspresidenti i Asociacionit Evropian të Sportit Universitar – EUSA dhe kryesuesi i Komitetit Ndërkombëtar në Federatën Ndërkombëtare të Sportit Universitar – FISU, Marko Žunić.
Ndërkaq, pjesa profesionale e konferencës nisi me prezantimin e presidentes së FSUNK-së, Diellza Shaqiri – Kelmendit, e cila së bashku me dekanin Selimi, në sesionin e parë të konferencës folën rreth Kampionatit Botëror në Hendboll për Universitete, 2022, si dhe për përfshirjen dhe përgjegjësitë e FSUNK-së si organizator i këtij kampionati.
Akademia për Lidership dhe Vullnetarizëm, tash e disa muaj, ka trajnuar një numër të studentëve në fusha të ndryshme, si: sporti, mjekësia, mediat dhe PR-i, marketingu, e të tjera fusha të nevojshme për organizim e suksesshëm të aktiviteteve sportive në vendin tonë.
Fotografitë

Shkarko të gjitha fotografitë, kliko këtu.

Log in